Deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve dhe qëndrimit të ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, duke e cilësuar të papranueshme dhe me pasoja politike fyerjen ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
Sipas Bardhit, cilësimi i shqiptarëve të RMV-së si “idiotë” nuk mund të trajtohet si çështje e mbyllur pa përgjegjësi politike, sidomos në një kohë kur, siç theksoi ai, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut përballen me sfida serioze politike dhe identitare.
Ai vlerësoi se deklarata të tilla përbëjnë shkelje të detyrimeve kushtetuese që autoritetet e Shqipërisë kanë ndaj shqiptarëve jashtë kufijve shtetërorë.
Bardhi kritikoi ashpër edhe mënyrën se si, sipas tij, ministri Hoxha është përpjekur të menaxhojë situatën, duke përmendur mohimet fillestare për mesazhin e publikuar, fshirjen e tij dhe largimin nga grupi në WhatsApp, si dhe atë që ai e quajti “takim të stisur” për ta paraqitur çështjen si të tejkaluar. Sipas deputetit opozitar, këto veprime dëshmojnë panik dhe mungesë përgjegjësie politike.
Në reagimin e tij, Bardhi shprehu shqetësim edhe për heshtjen e kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se mungesa e reagimit e shndërron këtë çështje nga një deklaratë individuale në, siç tha ai, “linjë shtetërore” të qeverisë shqiptare.
Ai paralajmëroi se ministri Hoxha do të thirret në Kuvendin e Shqipërisë për të dhënë llogari mbi qëndrimin e tij ndaj shqiptarëve përtej kufirit, ndërsa përdori tone të ashpra politike duke e krahasuar këtë qasje me narrativa historikisht armiqësore ndaj shqiptarëve.















Comments are closed