Mbështetja për presidentin amerikan Donald Trump ka rënë në nivelin më të ulët të mandatit të tij aktual, sipas një sondazhi të realizuar nga Reuters/Ipsos, i cili reflekton shqetësime në rritje për drejtimin e tij politik dhe sjelljen publike.
Sondazhi gjashtëditor tregon se vetëm 36% e amerikanëve miratojnë mënyrën se si Trump po ushtron detyrën, një nivel i pandryshuar krahasuar me një muaj më parë, por dukshëm më i ulët se 47% që ai regjistroi pas betimit në janar 2025. Rezultatet vijnë në një moment tensionesh të shtuara, të lidhura me konfliktin me Iranin dhe polemikat e tij të fundit publike.
Sipas Reuters/Ipsos, 36% e të anketuarve mbështesin goditjet ushtarake të SHBA ndaj Iranit, një rritje e lehtë krahasuar me sondazhin e mëparshëm. Megjithatë, vetëm 26% e amerikanëve besojnë se këto veprime ia kanë vlejtur kostos, ndërsa po aq vlerësojnë pozitivisht menaxhimin e kostos së jetesës nga administrata Trump. Rritja e çmimeve të karburantit, që në disa raste ka arritur deri në katër dollarë për gallon, ka ndikuar drejtpërdrejt në buxhetet familjare.
Sondazhi nxjerr në pah edhe shqetësime për gjendjen personale të presidentit. Rreth 51% e të anketuarve mendojnë se qartësia mendore e Trump është përkeqësuar gjatë vitit të fundit. Ky perceptim përfshin 85% të demokratëve, 54% të të pavarurve dhe 14% të republikanëve. Vetëm 26% e të anketuarve e konsiderojnë atë një figurë të balancuar.
Edhe brenda Partisë Republikane vërehet ndarje: 53% e mbështetësve e shohin Trump si të qetë dhe të qëndrueshëm, ndërsa 46% mendojnë të kundërtën. Ndërkohë, vetëm 7% e demokratëve ndajnë këtë vlerësim pozitiv.
Një tjetër element i rëndësishëm i sondazhit është krahasimi me figurën e Papa Leonit, i cili gëzon një perceptim më pozitiv në opinionin publik amerikan. Rreth 60% e të anketuarve shprehen pozitivisht për Papën, kundrejt 36% për Trump. Papa rezulton gjithashtu më i vlerësuar se disa figura të njohura të Partisë Demokratike.
Në planin ndërkombëtar, vetëm 16% e amerikanëve mbështesin idenë e tërheqjes së SHBA nga NATO, një skenar i përmendur më parë nga Trump.
Sondazhi është zhvilluar online me 4,557 të rritur në të gjithë SHBA-në dhe ka një marzh gabimi prej dy pikë përqindje. Rezultatet tregojnë një klimë të ndërlikuar politike, ku mbështetja për presidentin mbetet e kufizuar dhe e shoqëruar me shqetësime për performancën dhe stabilitetin e tij në detyrë.















Comments are closed