AFËRSIA ME “LULE XHELIN” Përparim Rama ndërpret marrëveshjen me BIRN-in e Jeta Xharrës
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Komuna ka ndërmarrë hapa për ndërprerjen e marrëveshjes me BIRN-in për shfrytëzimin e hapësirës publike në objektin e Grand Hotelit.
Përmes një postimi në facebook, Rama iu drejtua drejtoreshës ekzekutive të BIRN-it, Jeta Xharra, duke thënë se ajo nuk ka dhënë sqarime për, siç e quajti ai, “çështjen thelbësore”, ndërsa shtoi se reagimi i saj ka ngritur edhe më shumë pikëpyetje.
Bëhet fjalë për çështjen e profilit të rremë “Lule Gjeli” që terrorizon rrjetin online dhe linçon kritikët e pushtetit, e Kallxo.com kishte publikuar opinione të këtij personazhi, teksa Xharra refuzon të tregojë identitetin e personit.
“Deklarata se ‘e dimë kush është, por nuk e tregojmë’ është pikërisht ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese. Nëse identiteti dihet, atëherë shtrohet një pyetje e thjeshtë: Kënd po e mbroni?”, ka shkruar Rama.
Ai tha se përderisa këto pyetje mbesin pa përgjigje, Komuna e Prishtinës nuk mund të sillet “sikur nuk ka ndodhur asgjë”.
“Prandaj, sot ju kemi dërguar njoftimin zyrtar për ndërprerjen e marrëveshjes për shfrytëzimin e hapësirës publike në Grand”, ka bërë të ditur Rama.
Sipas tij, Komuna nuk mund të lejojë që hapësirat publike, të cilat i cilësoi pronë të qytetarëve të Prishtinës, të shfrytëzohen nga organizata që, sipas tij, “me veprimet e tyre cenojnë interesin e qytetarëve dhe refuzojnë transparencën për çështje që lidhen drejtpërdrejt me besimin e publikut”.
Rama ka paralajmëruar gjithashtu se në ditët në vijim do të rishqyrtohen edhe marrëveshje të tjera për shfrytëzimin e hapësirave publike që janë ndarë dhe financuar nga Komuna e Prishtinës.












