Mesazhe të zbuluara nga aplikacioni i koduar Sky kanë hedhur dritë mbi një skandal të mundshëm që përfshin diplomacinë serbe në Portugali. Sipas raportimeve të medias malazeze “Vijesti”, përfaqësia diplomatike e Serbisë në Lisbonë dyshohet se është përdorur si një vend i sigurt për ruajtjen e kokainës nga një grup kriminal nga Mali i Zi.
Komunikimet e publikuara datojnë nga viti 2020 dhe lidhen me ish-kryetarin e Budvës, Milo Bozoviç, dhe bashkëpunëtorin e tij Ivan Mijatoviç, të cilët akuzohen për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Në bisedat e tyre të koduara në aplikacionin Sky, ata diskutojnë për mënyrat se si mund të nxirrnin një sasi të madhe droge nga një anije që kishte mbërritur në portin e Lisbonës.
Në një nga mesazhet, Mijatoviç i shpjegon Bozoviçit se kishte siguruar logjistikën për operacionin, duke përfshirë magazina, njerëz dhe transport. Ai theksonte se aeroporti ishte i vetmi vend me kontrolle të forta, ndërsa pjesa tjetër e planit mund të realizohej përmes portit ose përmes kontakteve të tij në qytet.
Anija nga e cila dyshohej se do të nxirrej droga ishte MSC Fantasia, e cila kishte mbërritur në Lisbonë në fillim të majit 2020. Në mesazhet e shkëmbyera, të dy personat diskutojnë mënyrën e tërheqjes së ngarkesës dhe transportimin e saj më tej drejt vendeve të tjera europiane.
Sipas komunikimeve të publikuara, një person me nofkën “Sedi” i kishte informuar ata se kishin edhe mbështetje nga një ambasador serb në Lisbonë. Në atë periudhë ambasador i Serbisë në Portugali ishte Oliver Antiç, një figurë e njohur politike dhe një nga themeluesit e partisë në pushtet në Serbi. Antiç ndërroi jetë disa vite më vonë në një incident tragjik në brigjet e Oqeanit Atlantik.
Mesazhet tregojnë se bashkëpunëtorët diskutonin mundësinë që një person nga anija të merrej nga ambasada serbe dhe të transportohej në një vend të sigurt. Në një komunikim të datës 8 maj 2020, Mijatoviç sugjeron që bashkëpunëtori i tyre të kontaktonte ambasadën për ta marrë në terminal dhe për ta çuar në një shtëpi të sigurt.
Një ditë më vonë, ai pretendon se ambasadori kishte njoftuar për një fluturim privat nga Serbia që do të mbërrinte brenda pak ditësh. Sipas bisedave, për këtë fluturim po përgatiteshin dokumente për një ekuipazh, ndërsa për transportin përmendet edhe kompania Air Pink.
Në një tjetër mesazh, Mijatoviç i dërgon Bozoviçit fotografi të anijes dhe i shpjegon se kishte një depo vetëm disa minuta larg portit. Ai shton se, në rast se situata do të bëhej e rrezikshme, droga mund të dërgohej direkt në ambasadë.
“Mallin e çoj direkt në ambasadë dhe në rast se ndodh diçka, e di ku është. Do të të jap edhe WhatsApp-in e ambasadorit”, thuhet në një nga mesazhet e publikuara.
Sipas bisedave, plani ishte që nga anija të nxirreshin rreth 100 kilogramë kokainë. Më pas droga do të transportohej me kamionë drejt disa vendeve europiane, përfshirë Spanjën, Italinë, Slloveninë dhe Kroacinë.
Dy bashkëbiseduesit diskutojnë edhe për përqindjen që do t’i jepej grupit që do të realizonte nxjerrjen e drogës nga anija. Fillimisht përmendet një tarifë prej 12 për qind, ndërsa më pas shpjegohet se për një sasi prej 100 kilogramësh përqindja mund të arrinte deri në 20 për qind.
Sipas mesazheve, marrëveshja përfundimtare u arrit pak pas mesnatës, kur Mijatoviç i shkroi Bozoviçit se “malli është i sigurt”.
Media serbe “Nova” e ka lidhur këtë rast me një seri çështjesh të tjera që, sipas saj, sugjerojnë kontakte mes individëve nga strukturat e pushtetit dhe personave nga mjedise kriminale në Serbi.
Në raportimet e saj përmendet edhe rasti i Petar Filipoviç, i cili u kap nga policia në fund të vitit 2024 me dhjetëra pako heroinë në një makinë luksoze. Rasti tërhoqi vëmendje pasi Filipoviç ishte parë më herët në një aktivitet publik në rolin e sigurimit pranë presidentit të Serbisë.
Një tjetër çështje që vazhdon të përmendet në debatin publik është ajo e kompleksit “Jovanjica”, ku autoritetet zbuluan një plantacion të madh marihuane. Pronari i kompleksit, Predrag Koluvija, akuzohet nga Prokuroria për Krimin e Organizuar se kishte organizuar një rrjet të prodhimit dhe shpërndarjes së narkotikëve.
Në listën e rasteve përmendet edhe një operacion policor në fshatin Konjuh pranë Krusevacit, ku në pronën e një anëtari të Partisë Progresiste Serbe u gjetën rreth pesë ton marihuanë të fshehura në një kompleks bujqësor.
Po ashtu, në opinionin publik ka bërë bujë edhe rasti i Nikola Petroviç, kumbar i presidentit serb, i cili në vitin 2023 u përfshi në një aksident trafiku ndërsa drejtonte automjetin nën ndikimin e alkoolit dhe kokainës. Procedurat ndaj tij përfunduan vetëm me një kundërvajtje dhe çështja u parashkrua më vonë për shkak të kalimit të afateve ligjore.
Këto raste kanë ushqyer debatin në Serbi për lidhjet e mundshme mes politikës dhe krimit të organizuar, ndërsa publikimi i mesazheve nga aplikacioni Sky ka shtuar presionin për sqarimin e plotë të këtyre pretendimeve.















Comments are closed