“Maqedonia e Veriut aktualisht ndodhet në një pozitë të vështirë, pasi procesi i anëtarësimit është i bllokuar. Pavarësisht disa reformave pozitive, progresi i Agjendës së Reformave të BE-së, veçanërisht në sundimin e ligjit, reformat në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit mbetet i pamjaftueshëm”, vlerëson Waitz, duke shtuar se kjo situatë është pasojë e fushatës zgjedhore, kapaciteteve të kufizuara të administratës publike dhe mungesës së përkushtimit politik afatgjatë
Pavarësisht deklaratave pro-evropiane dhe angazhimeve publike për reforma, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vazhdon të dështojë në dhënien e rezultateve konkrete në fushat kyçe që përcaktojnë ecurinë e procesit të eurointegrimit. Ky vlerësim kritik, i artikuluar me gjuhë diplomatike por me mesazh të qartë politik, përfshihet në projekt-raportin vjetor për progresin e vendit të raportuesit të Parlamenti Evropian për Maqedoninë, eurodeputetit Thomas Waitz, i cili do të prezantohet më 26 shkurt para Komitetit për Punë të Jashtme të PE-së (AFET), njofton agjencia bullgare e lajmeve BGNES, duke cituar deklarata të raportuesit special Thomas Waitz. Sipas BGNES Waitz thekson se në kontekstin e realitetit të ri gjeopolitik, të gjithë aktorët politikë në vend, e në veçanti Qeveria, kanë detyrim të japin rezultate të prekshme në reformat kyçe, duke nënvizuar se mungesa e progresit real po e mban procesin e anëtarësimit të bllokuar. Paralelisht, ai vlerëson se edhe Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare duhet t’i përmbushin obligimet e tyre ndaj vendit, duke ofruar mbështetje të plotë dhe angazhim aktiv diplomatik për tejkalimin e pengesave ekzistuese.
“Maqedonia e Veriut aktualisht ndodhet në një pozitë të vështirë, pasi procesi i anëtarësimit është i bllokuar. Pavarësisht disa reformave pozitive, progresi i Agjendës së Reformave të BE-së, veçanërisht në sundimin e ligjit, reformat në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit mbetet i pamjaftueshëm”, vlerëson Waitz, duke shtuar se kjo situatë është pasojë e fushatës zgjedhore, kapaciteteve të kufizuara të administratës publike dhe mungesës së përkushtimit politik afatgjatë.
Ai vëren se nuk është arritur asnjë përparim në lidhje me ndryshimet kushtetuese, për shkak të shqetësimeve për bllokada të mundshme bilaterale shtesë apo kërkesa të reja nga Bullgaria. Sipas tij, nevojitet urgjentisht rritje e vullnetit politik nga të dyja palët për ta tejkaluar këtë ngërç, i cili po e mban vendin jashtë fazës aktive të negociatave. Në raport theksohet se në një kohë ndryshimesh të mëdha në rendin ndërkombëtar veçanërisht për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pasigurisë rreth së ardhmes së aleancës transatlantike dhe kërcënimeve ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla është jetike që Evropa të mbetet e bashkuar. Në këtë kontekst, Waitz sheh mundësi për ringjalljen dhe përshpejtimin e procesit të zgjerimit, por vetëm nëse vendet kandidate japin rezultate reale.
“Ky proces, në të gjitha rrethanat, do të mbetet i bazuar në merita dhe i lidhur ngushtë me përparimin në parimet themelore, veçanërisht me sundimin e ligjit. Prandaj, është thelbësore që të gjitha palët politike të interesuara në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht qeveria dhe deputetët e shumicës qeverisëse, ta kuptojnë këtë ndjenjë urgjence dhe, pa vonesa të mëtejshme, të fillojnë të japin rezultate të prekshme, të besueshme dhe reale në këto fusha kyçe”, thekson ai. Sipas raportit, reformat në sundimin e ligjit nuk janë të rëndësishme vetëm për afrimin drejt BE-së, por janë parakusht për ndërtimin e një shteti funksional dhe rezistent. Sundimi efektiv i ligjit dhe një klimë e besueshme investimi, vlerëson Waitz, janë bazë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për përfitim real nga proceset integruese që ofron BE-ja.
KRITIKA NDAJ POLARIZIMIT POLITIK
Në të njëjtën kohë, raporti kritikon edhe mungesën e besimit publik në institucione, polarizimin politik dhe bashkëpunimin e dobët ndërpartiak, të cilat vazhdojnë të ndikojnë negativisht në zbatimin e reformave, veçanërisht në sistemin gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit.
Në fushën e mediave dhe shoqërisë civile, dokumenti vlerëson se nevojiten përmirësime serioze në drejtim të lirisë dhe pavarësisë së mediave, luftës kundër dezinformatave dhe përfshirjes reale të shoqërisë civile në proceset reformuese. Kuadri i përgjithshëm i të drejtave themelore vlerësohet si relativisht i kënaqshëm, por theksohet nevoja për progres në barazinë gjinore, të drejtat e komuniteteve jo-shumicë, personave me aftësi të kufizuara dhe komunitetit LGBTI. Sa i përket reformave socio-ekonomike, përshëndeten hapat e parë në zbatimin e Agjendës së Reformave, por theksohet se nevojiten përpjekje shtesë, veçanërisht për aktivizimin e tregut të punës. Në sektorin e mjedisit, energjisë dhe transportit, raporti përshëndet progresin me Ligjin për Energjetikë dhe projektet infrastrukturore si korridoret 8 dhe 10, por kërkon investime më të mëdha dhe legjislacion më të fortë për mbrojtjen e mjedisit.
Në pjesën për bashkëpunimin rajonal dhe politikën e jashtme, vlerësohet pjesëmarrja konstruktive e vendit në rajon dhe harmonizimi me politikën e jashtme të BE-së, duke u bërë thirrje institucioneve që të ruajnë dialogun dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me vendet fqinje.
Ky është raporti i dytë i Waitz për vendin që nga viti 2022, pas atij të vitit të kaluar që u miratua nga Parlamenti Evropian. Në deklaratën shpjeguese, ai thekson se dokumenti synon të ofrojë një vlerësim të balancuar dhe objektiv të progresit të Maqedonia e Veriut në procesin e anëtarësimit dhe se është përgatitur në përputhje me Paketën e Zgjerimit të Komisionit Evropian për vitin 2025. Projekt-raporti do të shqyrtohet nga grupet politike të Parlamentit Evropian gjatë periudhës mars–prill, ndërsa votimi në AFET pritet në maj, për t’u pasuar nga votimi në seancë plenare para pushimit veror. Vitin e kaluar, Parlamenti Evropian miratoi raportin e parë të Waitz për Maqedoninë me 461 vota “pro”, 121 “kundër” dhe 107 “abstenime”, raport i cili nuk përfshinte formulimin “identiteti dhe gjuha maqedonase”.
MUCUNSKI: KOMUNIKOJMË ME SOFJEN PËR TË GJETUR ZGJIDHJE
Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, theksoi se institucionet shtetërore kanë komunikim aktiv dhe të vazhdueshëm me Sofjen, ndërsa dëshmi për këtë është projekti I korridorit 8, ndërsa komunikimi vazhdon edhe me Bashkimin Evropian. Ai rikujtoi se aktualisht në Bullgari po zhvillohet proces zgjedhor, ndaj duhet treguar kujdes në deklarata dhe qëndrime, pasi Maqedonia e Veriut nuk ka interes të bëhet pjesë e retorikës zgjedhore në shtetin fqinj.
“Dje mora pjesë në një aktivitet në Tiranë kushtuar Korridorit 8 ku po merren masa të prekshme nga të dyja palët për realizimin e këtij projekti. Por gjithashtu thamë se segmenti perëndimor i Korridorit 8 në Shqipëri duhet të përshpejtohet dhe kemi parë sinjale pozitive nga Shqipëria në periudhën e fundit dhe kjo është për t’u përshëndetur, sepse vetë Korridori 8 nuk do të ishte i plotë pa detyrimet që duhet të ndërmarrë Republika e Shqipërisë dhe nuk po flasim vetëm nga pikëpamja e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, por edhe infrastrukturën energjetike dhe çështjeve të tjera plotësuese që lidhen me të. Pse e përmend Korridorin 8? Sepse Korridori 8 është dëshmi se ne mund të bashkëpunojmë me Bullgarinë fqinje, kur të duam”, ka thënë Mucunski.
Ai rikujtoi se në këtë moment në Bullgarinë fqinje është duke u zhvilluar një proces zgjedhor dhe duhet të jemi maksimalisht të kujdesshëm që të jetë e mundur për atë që themi dhe si pozicionohemi në këtë moment sepse, siç tha ai, “ne si vend nuk kemi absolutisht asnjë interes të bëhemi pjesë e retorikës zgjedhore në Bullgarinë fqinje”.”Kushdo që dëshiron dhe synon të na përfshijë në retorikën zgjedhore në Bullgarinë fqinje nuk ka vlera pro-BE. Dhe këtë e shohim nga faktorë të caktuar në Bullgarinë fqinje, por për të qenë sa më i sinqertë, e ndiej edhe nga faktorë të caktuar politikë këtu”, tha Mucunski. Ai konfirmoi se për këtë çështje, po zhvillohet një komunikim konkret me Bashkimin Evropian.
“Disa ditë më parë, patë një takim në Munih midis kryeministrit Mickoski ku e shoqërova edhe unë me kryetarin e Këshillit Evropian, Antonio Koshta. Sigurisht, një nga temat që diskutuam ka qenë procesi i gjetjes së mundshme të një zgjidhje me Bullgarinë fqinje dhe kjo është diçka mbi të cilën do të punojmë, por brenda kornizës së parimeve që janë të qarta për ne besoj, për të gjithë ju dhe që i kemi vendosur publikisht”, theksoi Mucunski















Comments are closed