Shopping cart

Pollogu.news shtë media online profesionale, me qasje postmoderne në informimin e publikut shqiptar. Qëllimi ynë eshte, të raportojmë per të gjitha problemet me të cilat ballafaqohen aytetaret e vendit, dhe më gjerë, duke i dhënë hapësirën e duhur, degjimit të zerit qytetar.

  • Home
  • Shqipëri
  • “Plumbin e kam ende në sy, por Shqipëria është e jona”/ Dëshmia tronditëse e Erjon Vishkullit, të plagosur gjatë protestës
Lajmi i Fundit

“Plumbin e kam ende në sy, por Shqipëria është e jona”/ Dëshmia tronditëse e Erjon Vishkullit, të plagosur gjatë protestës

Një goditje në sy, dy hapa përpara dhe më pas rrëzimi në tokë. Kaq kanë mjaftuar që jeta e Erjon Vishkullit të ndryshojë brenda pak sekondash. I plagosur nga një plumb gome gjatë protestës në Tiranë, i riu rrezikon shikimin në syrin e majtë, ku projektili ndodhet ende.

Në një intervistë ekskluzive për gazetarin e Top Channel, Endi Tufa, Erjoni ka rrëfyer për herë të parë momentet e plagosjes, dhimbjen që vazhdon të përjetojë dhe pasigurinë për atë që e pret.

Ai tregon se në momentin e goditjes nuk po kryente asnjë veprim kundër policisë. Kishte shkuar të takonte shokët dhe po përgatitej të largohej, kur u godit papritur.

“Shkova të takoja shokët dhe do të ikja. Kisha hequr maskën e oksigjenit dhe në atë moment takova një shok gazetar. I kisha diku 30 metra larg policët, pa asnjë reagim, pa asgjë. Vetëm kur më vjen një goditje, eca rreth dy metra dhe rashë në tokë”, rrëfen ai.

Pas goditjes, Erjoni kujton shumë pak. Ishte pjesërisht i vetëdijshëm dhe një mik e ndihmoi të largohej nga vendngjarja.

“Isha pak i vetëdijshëm, ndërkohë që një shok më shoqëroi me makinë. Kaq mbaj mend pastaj”, tregon ai.

Por ajo që për Erjonin zgjati vetëm pak sekonda, mund të ketë pasoja për gjithë jetën. Plumbi i gomës vazhdon të jetë në syrin e tij të majtë dhe ende nuk dihet nëse dëmtimi i shikimit do të jetë i përhershëm.

“Vazhdoj ta kem ende plumbin e gomës në sy. Nuk e di tani të them se sa i lartë është rreziku, por e lehtë nuk është, sepse kam shumë dhimbje”, shprehet ai.

Dëshmia e tij ngre pyetje serioze për rrethanat e përdorimit të plumbave të gomës gjatë protestës. Erjoni deklaron se ndodhej rreth 30 metra larg policëve dhe nuk kishte kryer asnjë veprim që të provokonte ndërhyrjen e tyre. Këto rrethana kërkojnë verifikim të plotë, përfshirë identifikimin e efektivit që qëlloi dhe vlerësimin nëse përdorimi i forcës ishte i ligjshëm dhe proporcional.

Ndërsa kryeministri Edi Rama ka prezantuar një paketë të re masash ndëshkuese kundër dhunës në protesta, plagosja e Erjon Vishkullit shtron edhe një tjetër çështje: përgjegjësinë e shtetit kur përdorimi i forcës nga policia shkakton dëmtime të rënda te qytetarët.

Në fund të intervistës me Endi Tufën, pavarësisht dhimbjeve dhe frikës për shikimin, Erjoni zgjedh të mos flasë për hakmarrje apo urrejtje.

“Vetëm fitore”, thotë ai.

Gazetari e pyet se çfarë do të thotë kjo.

“Shqipëria është e jona”, përgjigjet Erjoni.

Një fjali e thjeshtë nga një i ri që sot po lufton për të shpëtuar syrin, ndërsa pret të mësojë nëse do të mund ta shohë sërish normalisht vendin për të cilin flet.

Advertisement Advertisement

Comments are closed

Related Posts