Bullgaria dje konfirmoi zyrtarisht takimin dypalësh mes ministrave të Punëve të Jashtme të dy vendeve, Timço Mucunski dhe Velislava Petrova-Çamova, i cili duhet të mbahet nesër në Sofje, në margjinat e takimit ministror kushtuar Korridorit 8. Këtë e deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke shtuar se ende nuk është përcaktuar formati i takimit të paralajmëruar.
“Gjatë ditës së djeshme morëm konfirmim zyrtar për një takim dypalësh, ndërsa formati dhe mënyra, siç thuhet në notën diplomatike, do të dakordohen më tej. Kështu që nesër do të ketë takim dypalësh, por do të shohim se në çfarë formati dhe si do të zhvillohet ai takim, të shohim se si do ta organizojë nikoqiri”, deklaroi kryeministri duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Mesazhet që vendi do t’i përcjellë në takimin e nesërm, tha kryeministri, janë të qarta.
“Se vetëm përmes dialogut mund të arrijmë zgjidhje për këtë situatë në të cilën ndodhemi aktualisht, se ne jemi për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe se duam sa më shpejt ta realizojmë qëllimin tonë strategjik, që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian – diçka që e kemi merituar prej shumë kohësh”, tha Mickoski.
Deri dje, kryeministri nuk kishte pritshmëri të mëdha për takimin e paralajmëruar mes Mucunksit dhe Petrova-Çamovës.
Më herët, në konferencën e sotme për media, Mickoski iu referua edhe njoftimit të Komisionit Evropian për heqjen e vetos për çështjet dypalëshe, duke vlerësuar se BE-ja dukshëm e ka njohur keqpërdorimin e kësaj çështjeje nga një pjesë e vendeve anëtare.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të premten (më 2 tetor) e vizitoi Shkupin, prej ku paralajmëroi se që javën e ardhshme duhet të ndërmerret një hap i ri në përpjekjen për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Hristijan Mickoski në Shkup, ajo tha se në takimin e tyre është dakorduar që procesi të fillojë të lëvizë sërish.















Comments are closed