Pesë prokurorë publikë kanë paraqitur deri tani kandidaturat në konkursin për zgjedhjen e prokurorit publik themelor të Prokurorisë Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit (PTHKOK), konfirmoi kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Bashkim Besimi, njofton agjencia shtetërore MIA.
Sipas informacioneve, për këtë funksion janë kandiduar prokurori i lartë publik Jove Cvetanovski, ish-prokurori i Prokurorisë Speciale (tani prokuror në Prokurorinë e Lartë Publike) Trajçe Pelivanov, prokurorja e PTH Shkup Lidija Raiçeviq, si dhe prokurorët e PTHKOK Iskra Hadži-Vasileva dhe Faton Azizi., përcjell Pa Censurë.
Besimi tha se për momentin janë të regjistruar këta pesë prokurorë.
– Për tani janë këta, pas festës do të jetë zyrtare, deklaroi Bashkim Besimi.
Këshilli i Prokurorëve Publikë ka caktuar për të premten seancë në të cilën, ndër të tjera, duhet të formohen komisionet e lidhura me procedurën e zgjedhjes së shefit të ri të PTHKOK. Sipas vendimit për thirrjen e seancës së 50-të, në rendin e ditës është formimi i Komisionit për përgatitjen e listave të kandidatëve, si dhe i Komisionit për zgjedhjen e prokurorit publik themelor të PTHKOK.
Konkursi për zgjedhjen e drejtuesit të PTHKOK u shpall nga Këshilli i Prokurorëve Publikë në bazë të Ligjit për Këshillin e Prokurorëve Publikë dhe Ligjit për Prokurorinë Publike. Sipas konkursit, zgjedhja e prokurorit publik themelor të PTHKOK do të zhvillohet më 28 tetor 2026, në orarin nga ora 8 deri në 16, transmeton Pa Censurë.
Të drejtë kandidimi kanë prokurorët publikë me së paku gjashtë vjet stazh të pandërprerë si prokuror publik deri në momentin e aplikimit dhe me vlerësim pozitiv në tre vitet e fundit.
Zgjedhja e shefit të ri të PTHKOK vjen pas përfundimit të mandatit të drejtuesit aktual Islam Abazi, i cili e ushtron funksionin që nga tetori 2022.














Comments are closed