Zyrtarë të lartë të Kosovës i kanë përsëritur thirrjet për trysni ndërkombëtare ndaj fqinjit të saj, Serbisë, për t’i hapur arkivat shtetërore dhe ushtarake që do të ndihmonin në zbulimin e vendndodhjes së mbi 1.500 njerëzve ende të zhdukur nga lufta e viteve 1998-’99.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, dhe zyrtarë të tjerë, bënë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur në Prishtinë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, të dielën, nga ku kërkuan bashkëpunim nga Serbia.
“Ne kërkojmë nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë, posaçërisht nga Bashkimi Evropian, ku Serbia po synon të anëtarësohet dhe nga e cila Serbia merr fonde qindra e qindra milionëshe, që të bëjnë trysni për hapjen e këtyre dosjeve”, tha Kurti.
Ai theksoi se Kosovës po i “kushton shumë të bëjë gërmime e gjurmime, të humbë shumë kohë” në mungesë të të dhënave të plota dhe të sakta për vendndodhjen e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.
“Është shumë frustruese t’i bëjmë gjithë këto gërmime e të gjejmë megjithatë jo shumë trupa. Këto gërmime nuk do të kishim nevojë që t’i bëjmë këtu rrotull sikur ta kishim hapjen e dosjeve në Beograd”.















Comments are closed