VMRO-DPMNE-ja në pushtet këtë vit arkëtoi shumë rekord prej 2,5 milionë eurosh nga mjetet buxhetore të destinuara për financim të rregullt të partive politike. LSDM-ja opozitare ra në një milion euro, ndërsa BDI, me 472 mijë euro, mbeti në vendin e tretë sipas shumës së fondeve të marra nga Buxheti i shtetit në vitin 2026, shkruan Prizma.
Analiza e dokumentit për pagesat e këtij viti nga Ministria e Drejtësisë, tregon se tre partitë e para së bashku kanë absorbuar 45 përqind të buxhetit të përgjithshëm për financimin e partive. Nëse kësaj ia shtojmë edhe pagesat për Partinë “E Majta” dhe ZNAM-in, më shumë se gjysma e shumës së përgjithshme këtë vit është ndarë për këto pesë parti.
Pesëshja e dytë në këtë listë u përket partive nga blloku politik shqiptar – BESA, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët, të cilat kanë marrë nga 220 deri më 245 mijë euro. E fundit në këtë pesëshe është Partia Demokratike e Turqve me pak më shumë se 180 mijë euro.
Sistemi në Maqedoni është i tillë që puna e partive politike financohet nga buxheti i shtetit, ndërsa lartësia e mjeteve që merr një parti varet nga rezultatet e saj zgjedhore. Këtë vit për këtë qëllim u ndanë rreth 9 milionë euro, ose 0,15 përqind e të ardhurave të përgjithshme burimore të Buxhetit.















