Ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Mihalis Rokas, ka deklaruar se BE-ja mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe se nuk ka asnjë dyshim që vendi shihet si një anëtar i ardhshëm i Unionit. Megjithatë, në seancën e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane, kushtuar aspekteve kryesore të procesit të integrimit evropian, Rokas tha se “Sundimi i ligjit është kusht kyç për integrimin e suksesshëm evropian”.
MIHALIS ROKAS, AMBASADORI I BE-SË
“Mund të them pa asnjë hezitim se vendi ka treguar se ka kapacitet për të zbatuar reforma. Dua të përshëndes punën e bërë në Kuvend, veçanërisht në miratimin e ligjeve. Natyrisht, me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian, besojmë se mund t’ju përgatisim me sukses për anëtarësimin në BE. Parakusht për hapjen e kapitujve negociues është përmbushja e kritereve të rrepta, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe zbatimi i tyre i plotë. Këto janë procedura standarde që vlejnë për të gjitha vendet kandidate”.
Ndërkaq, Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, i cili poashtu mori pjesë në këtë seancë, theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet prioriteti më i lartë strategjik i vendit dhe se reformat në sundimin e ligjit duhet të shoqërohen me rezultate konkrete dhe të matshme. Ai nënvizoi se Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë ndër vendet më të suksesshme në zbatimin e Agjendës së Reformave, duke rikujtuar se deri më tani janë siguruar 142,1 milionë euro nga Plani i Rritjes, ndërsa së fundmi është dorëzuar edhe kërkesa e katërt për financim, me 22 hapa reformues të realizuar.














