Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar pas vendimit të fundit gjyqësor lidhur me procesin e emërtimit të rrugëve në Tetovë, duke akuzuar BDI-në dhe strukturat që, sipas tij, janë të afërta me këtë parti, se po vazhdojnë përpjekjet për ta penguar punën e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Në reagimin e tij, Azizi tha se “gjykata e votuar nga BDI-ja, bashkë me mercenarët e saj, po vazhdojnë aksionet kundër Bilall Kasamit”, duke shtuar se qytetarët e Tetovës i kanë dhënë mbështetje Kasamit në pesë procese zgjedhore radhazi.
Ai theksoi se procesi i emërtimit të rrugëve me emra në gjuhën shqipe do të vazhdojë dhe se, sipas tij, asnjë vendim gjyqësor apo politik nuk do të mund ta ndalë këtë iniciativë.
Azizi gjithashtu kritikoi mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar çështja e emrave të rrugëve gjatë qeverisjes së BDI-së. Si shembull, ai përmendi rastin e rrugës “Dervish Cara”, e cila, sipas deputetit, për më shumë se dy dekada në dokumentacion zyrtar ka figuruar me emërtimin “JNA”.
Reagimi i plotë:
Gjykata e votuar nga BDI-ja, bashkë me mercenarët e BDI-së, vijojnë aksionin e radhës për ta luftuar Bilall Kasamin, i cili i shkeli 5 herë radhazi në zgjedhje në Tetovë.
Rrugët në Tetovë do të kenë emra shqip. As Gjykata e BDI-SDSM, as askush tjetër nuk mund ta ndalë këtë proces.
P.S. ja si e ka “zgjidhur” BDI-ja çështjen e emrave në Tetovë. “Dervish Cara” në dokumente për 20 vjet ka figuruar si “JNA”!














