Një mesazh mjaft të fortë dhe me akuza drejtuar kreut të qeverisë ka përcjellë edhe një mjek gjatë protestës masive që po zhvillohet përpara Kryeministrisë. Ai deklaroi se dinjiteti i shqiptarëve nuk ka humbur dhe se revolta në shesh vjen si pasojë e arrogancës së një shteti që i ka lënë qytetarët e tij të pambrojtur.
Gjatë fjalës së tij, mjeku denoncoi situatën e rëndë në sistemin shëndetësor, duke folur për ngjarje makabre që ndodhin brenda spitaleve, ndërsa kritikoi ashpër kryeministrin Edi Rama për mënyrën se si e shpenzon kohën e tij.
“Protestojmë për të gjitha ato makabritete që shohim në spitale, ku fëmijët e larguar nga kjo jetë amanetin e fundit marrin nga prindërit, është të mos varrosen pa i parë ata për herë të fundit. Kryeministri ka gjetur kohë të merret me memet dhe influencerat. Kaq të tepërt e ke kohën sa të merresh me to? Në vend që t’i vesh gishtin kokës dhe t’i kthehesh popullit, merresh me to. Ne kërkojmë shtet e jo pushtet! Këtij vendi me nepotizmin i keni kallur datën”, u shpreh ai.
Në mbyllje të fjalës së tij, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Edi Ramës, mjeku theksoi se koha e këtij regjimi ka mbaruar dhe se vendi ka nevojë për intelektualët e ndershëm dhe rininë për të ndërtuar një sistem të ri. Ai ironozoi Ramën duke thënë se fëmijët e atyre që ai mori dje në antimiting janë sot në protestë.














