Kanë vijuar përplasje të reja për ndryshimet kushtetuese dhe rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Europian, ndërmjet partive të bllokut maqedonas. Nga LSDM-ja opozitare kanë përsëritur qëndrimin e tyre se pa ndryshimet kushtetuese, vendi nuk do të lëvizë në rrugën drejt BE-së. Ata thonë se kanë mbetur vetëm 2 ditë deri më 1 qershor, kur siç theksojnë, Hristijan Mickoski ka premtuar publikisht qytetarëve se do t’i përmbushë plotësisht të gjitha pikat e Agjendës së Reformave dhe detyrimet për të vazhduar rrugën evropiane.
LSDM
”Në dy vjet, ai ka përfunduar në mënyrë të paplotë 2 pika nga 10, dhe ajo kryesore mbetet e papërfunduar, përfshirja e pakicave në Kushtetutë, një detyrim pa të cilin nuk do të lëvizim nga një pikë e vdekur. Pa këtë, nuk do të ketë vazhdim të negociatave me BE-në, as hapje të kapitujve të ardhshëm, as fonde të reja evropiane, as standarde më të mira jetese për qytetarët, asgjë. Tani le të përfshijë Mickoski pakicat në Kushtetutë ose le të dalë para qytetarëve dhe të pranojë publikisht se nuk dëshiron anëtarësim në BE”.
Ndërkaq, nga ana tjetër, VMRO-DPMNE ka akuzuar kryetarin e LSDM-së, Venko Filipçe, se është i gatshëm të pranojë ndryshime kushtetuese dhe më pas ridefinim të historisë dhe identitetit maqedonas, duke e quajtur atë “emisar special të Rumen Radevit”. Valentin Manasievski tha se Filipçe është në të njëjtën linjë me Viktor Stojanovin nga fondacioni “Maqedonia” dhe me ministren bullgare Petrova Çamova, duke shtuar se Bullgaria vazhdon ta bllokojë Maqedoninë në rrugën eurointegruese për shkak të interesave të saj.
VALENTIN MANASIEVSKI, VMRO-DPMNE
“Për këtë qëllim, autoritetet bullgare kanë gjetur pikat e dobëta në politikën e Maqedonisë, si Zoran Zaev, Dimitar Kovaçevski, e tani edhe Venko Filipçe, të cilët u shërbejnë interesave të huaja në dëm të interesave të veta – maqedonase. Edhe pse qytetarët u dhanë leksion dhe i ndëshkuan në katër zgjedhje radhazi, pikërisht për politikat e tyre antishtetërore, Filipçes dhe LSDM-së ende nuk u vjen mendja dhe vazhdojnë me të njëjtën politikë servile duke menduar se në atë mënyrë do të vijnë në pushtet”.
Manasievski theksoi se VMRO-DPMNE nuk do të lejojë, siç tha ai, “bullgarizimin” e figurave historike dhe cenimin e identitetit maqedonas, duke shtuar se Maqedonia ka historinë, identitetin dhe gjuhën e saj.













