Autoritetet e Kosovës të enjten në mëngjes morën nën kontroll objektet dhe pronat hekurudhore në Zveçan dhe në Leposaviq, komuna të banuara me shumicë serbe në veri.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, konfirmoi se Policia ka ofruar asistencë gjatë marrjes së objekteve të stacioneve hekurudhore, ku janë hequr tabelat ‘Hekurudhat e Serbisë’, dhe janë vendosur të reja me mbishkrimin “Infrastruktura Hekurudhore e Kosovës”, së bashku me flamurin e Kosovës.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u tha gazetarëve se ligjet duhet të zbatohen në të gjithë territorin e Kosovës dhe se ‘Hekurudhat e Serbisë’ janë një nga institucionet e fundit ‘paralele dhe ilegale’ që kanë funksionuar.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, deklaroi se ‘nga sot janë kthyer nën menaxhim të plotë të Ndërmarrjes Publike INFRAKOS të gjitha objektet dhe pronat publike hekurudhore’ në veriun e Kosovës.
Ai tha se infrastruktura hekurudhore në veri deri më tani ka qenë ‘e uzurpuar nga strukturat ilegale paralele serbe’.
Basha deklaroi, gjithashtu, se hekurudha në veri është një pjesë strategjike e Korridorit X, i cili lidh Kosovën me rrjetet rajonale dhe ndërkombëtare të transportit.
‘Ky veprim lehtëson përshpejtimin e rehabilitimit, modernizimit dhe funksionalizimit të infrastrukturës hekurudhore në veri të vendit, në përputhje me prioritetet zhvillimore dhe standardet shtetërore të Kosovës’, u shpreh ai.
Kosova gjatë dy vjetëve të fundit ka mbyllur pothuajse të gjitha institucionet e Serbisë, që pas luftës kanë funksionuar në zonat me shumicë serbe. Ndërsa autoritetet kosovare thonë se po vendosin rend dhe ligj, pjesëtarët e komunitetit serb këto veprime i shohin si ‘diskriminim’ ose formë ‘represioni’.
…
#SyriTv #SyriNet #LajmeSyri














