Lëvizje të reja priten në kabinetin qeveritar të kryeministrit Edi Rama, vetëm pak muaj pas ndryshimeve të thella që prekën më shumë se gjysmën e ministrave. Burime pranë Kryeministrisë bëjnë me dije për Shqip.com se riformatimi i radhës mund të përfshijë Ministrinë e Mbrojtjes, ku ministri Ermal Nufi pritet të largohet nga detyra, vetëm pak kohë pasi mori drejtimin e dikasterit. Në vend të tij, sipas të njëjtave burime, po përflitet emri i ambasadorit shqiptar në Maqedonia e Veriut, Denion Meidani.
Meidani është kthyer muajt e fundit në një nga figurat më aktive të diplomacisë shqiptare në Shkup, sidomos pas qëndrimeve të forta në mbështetje të studentëve shqiptarë për zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Ai është parë gjithashtu si një nga zërat më të fortë të Tiranës në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Maqedonia e Veriut.
Fillimisht, mediat në RMV raportuan për një largim të mundshëm të Meidanit nga posti diplomatik, duke e lidhur atë me presione politike nga pushteti në Shkup. Por burime për Shqip.com sugjerojnë se lëvizja mund të jetë pjesë e një plani më të gjerë të Ramës për të riformatuar kabinetin dhe për t’i besuar Mbrojtjen një figure me profil diplomatik dhe ndikim rajonal.
Më 26 shkurt 2026, Rama ndërmori një nga ndërhyrjet më të forta në qeveri, duke larguar figura të njohura si Belinda Balluku, Elisa Spiropali dhe Pirro Vengu. Ndryshimet erdhën befasisht, vetëm gjashtë muaj pasi qeveria nisi mandatin e katërt në pushtet. Në vend të tyre u emëruan Enea Karakaçi, Ferit Hoxha dhe Ermal Nufi.
Tashmë, sinjalet nga Kryeministria flasin për një tjetër lëvizje surprizë, që mund të ndryshojë balancat në kabinetin qeveritar në prag të një viti me rëndësi strategjike për Shqipërinë dhe marrëdhëniet e saj me NATO. Pranverën e ardhshme, Tiranë do të presë Samitin e NATO-s, ku pritet të marrë pjesë edhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump.














