Gjatë datave 29 dhe 30 prill 2026, zyrtarë policorë në disa lokacione në rajonin e Tetovë kanë privuar nga liria gjithsej pesë persona për drejtim të mjeteve pa leje drejtimi.
Rasti i parë është regjistruar më 29 prill rreth orës 12:00 në rrugën rajonale Tetovë – Volkovija, ku është ndaluar një motoçikletë e drejtuar nga një 33-vjeçar nga Tetova. Gjatë kontrollit është konstatuar se ai nuk posedonte patentë shoferi, me ç’rast është arrestuar dhe mjeti është konfiskuar.
Rreth orës 13:30, në rrugën “JNA” në Tetovë, policia ka ndaluar një katërçikël të drejtuar nga një i mitur 15-vjeçar nga fshati Poroj. Edhe ai është arrestuar për mungesë të lejes së drejtimit dhe mjeti është marrë.
Në orën 15:00, në Zhelinë, është kapur një tjetër i mitur 14-vjeçar nga Strimnicë duke drejtuar motoçikletë pa leje, duke u shoqëruar në polici dhe duke iu konfiskuar mjeti.
Po atë ditë, rreth orës 17:15, në rrugën magjistrale Gostivar – Strazhë, është arrestuar një 23-vjeçar nga fshati Belovishtë, i cili drejtonte një veturë “Golf” pa leje drejtimi.
Ndërkohë, më 30 prill rreth orës 04:00, në rrugën “Marshal Tito” në Tetovë, policia ka ndaluar një motoçikletë “Gilera” të drejtuar nga një 25-vjeçar nga Tetova, i cili gjithashtu nuk posedonte patentë shoferi dhe është arrestuar.
Pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj të gjithë personave do të parashtrohen kallëzime përkatëse, në përputhje me nenin 297-a të Kodit Penal për “drejtim të pakujdesshëm të mjetit motorik”.















Comments are closed