Pasi zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai, dje publikoi në Facebook një fotografi të relaksuar nga Bangkoku, kryeqyteti i Tajlandës, pyetja kryesore është nëse ai ende merr pagë, edhe pse prej gati dy muajsh nuk paraqitet në punë.
“Nezavisen” i dërgoi pyetje zëdhënëses së Qeverisë, Marija Miteva, nëse Fetai vazhdon të jetë në listën e pagave të Qeverisë. Po ashtu, nëse ai merr kompensim financiar si zëvendëskryeministër pa e kryer detyrën, deri kur do të zgjasë kjo situatë, përcjell tetova1
Nga përgjigjja e shërbimit për media të Qeverisë del qartë se zëvendëskryeministri formalisht ende është pjesë e Qeverisë, edhe pse faktikisht nuk është. Dhe përderisa është ministër, atij i takon paga. Në përgjigje thuhet se Fetai do të përfshihet në rikonstruimin e ardhshëm të Qeverisë dhe se ajo funksionon si trup kolektiv.
Ja përgjigjja e Qeverisë për “Nezavisen”:
“Sa i përket aktiviteteve individuale dhe agjendave ditore të ministrave, sektori për marrëdhënie me publikun nuk mban evidencë të detajuar për oraret private apo të punës jashtë obligimeve formale institucionale.
Çdo bartës i funksionit publik ka përgjegjësi personale para publikut dhe për këtë duhet të japë përgjigje drejtpërdrejt, prandaj ju udhëzojmë që pyetjet t’i drejtoni drejtpërdrejt te bartësi i funksionit publik.
Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se Qeveria funksionon si trup kolektiv pa pengesa dhe me kapacitet të plotë institucional. Të gjitha vendimet merren në kohë, proceset zhvillohen pa ndërprerje dhe nuk ka asnjë pengesë në zbatimin e politikave qeveritare.
Sa i përket ministrit konkret, tashmë është bërë e ditur publikisht se ai do të përfshihet në rikonstruimin e ardhshëm të Qeverisë. Ky është mekanizmi institucional përmes të cilit vlerësohet puna dhe bëhen përshtatjet e nevojshme kadrovike.”
Kryeministri Hristijan Mickoski, para një jave në një intervistë për Sitel, konfirmoi se Fetai në fakt nuk është më pjesë e qeverisë që ai drejton.
“Me Fetain u takuam para disa javësh dhe në bisedë më tha se nuk e sheh më veten në këtë përbërje të qeverisë që unë e udhëheq,” tha kryeministri.
Fetai, sipas të gjitha gjasave, i ka thënë kryeministrit se dëshiron të kthehet në Bruksel, nga ku erdhi me propozim të “Vredi” për të qenë zëvendëskryeministër. “Unë i propozova që do të dëshiroja ta angazhonim për të punuar diçka për qeverinë, respektivisht të jetë përfaqësuesi ynë special në Bruksel. Po mendoj se si ta angazhojmë,” tha Mickoski.
Se Arben Fetai faktikisht nuk është pjesë e qeverisë, e përmendi fillimisht ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në një intervistë për Telma, duke thënë se ai është larguar në Bruksel. Këtë informacion më pas e konfirmoi edhe ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në një intervistë për “360 shkallë”, kur tha se zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë prej një muaji nuk paraqitet në punë dhe nuk e di nëse është këtu apo ka udhëtuar diku. Edhe Arben Fetai edhe Azir Aliu ishin pjesë e krahut të Aleancës për Shqiptarët të udhëhequr nga Arben Taravari kur hynë në qeveri.















Comments are closed