Ish-kandidati nga VLEN për kryetar të Komunës së Bërvenicë, Haqim Ramadani, ka reaguar ashpër ndaj menaxhimit të mbeturinave në këtë komunë, duke ngritur shqetësime për rritjen e çmimeve dhe cilësinë e shërbimeve.
Sipas tij, komuna po tenton për herë të dytë të favorizojë të njëjtën ndërmarrje për mbledhjen e mbeturinave, duke dëmtuar drejtpërdrejt buxhetin e qytetarëve. Ai thekson se, ndonëse kontrata e partneritetit publiko-privat përcakton obligime të qarta, ndërmarrja nuk i përmbush ato, ndërsa në vend të masave, çmimet janë rritur.
Ramadani gjithashtu ka kritikuar trajtimin e mërgimtarëve dhe ka përmendur se disa zona, si fshati Gurgunicë, nuk mbulohen me shërbim, duke i detyruar banorët të përballen vetë me mbeturinat.
Postimi i plotë:
“Rritje çmimesh, shërbim zero: kush po e mbron këtë skemë në Komunën e Bërvenicës?
Komuna e Bërvenicës po tenton për herë të dytë të favorizojë të njëjtën ndërmarrje për mbledhjen e mbeturinave, duke e dëmtuar drejtpërdrejt buxhetin e qytetarit.
Edhe pse kontrata e partneritetit publiko-privat përcakton qartë të drejtat dhe obligimet, ndërmarrja nuk i përmbush ato. Në vend të masave, komuna rrit çmimin në 400 denarë për çdo amvisëri.
Skandali më i madh: mërgimtarët detyrohen të paguajnë paushall vjetor edhe pse nuk gjenerojnë mbeturina dhe nuk marrin shërbim. Madje për çdo thes shtesë u kërkohen para, ndërkohë që cilësohen si jo-rezidentë. Pagesa pa shërbim – e papranueshme!
Sipas kontratës, shërbimi duhet të mbulojë gjithë territorin, por fshati Gurgunicë lihet jashtë dhe banorët detyrohen vetë të pastrojnë deponitë ilegale.
Pse kjo kompani favorizohet vazhdimisht? A ka interesa të fshehura pas këtij partneriteti? Pse po rëndohet buxheti i qytetarit në vend që të lehtësohet? Komuna a duhet ta mbroje qytetarin apo permes formave të ndryshme plackit qytetarin.
Komuna duhet të jetë në shërbim të qytetarit – jo kundër tij.”, ka përfunduar Ramadani.














