Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi deklaroi sot linja 400 kV ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk është thjesht një projekt infrastrukture, por është qartësisht një investim për sigurinë, zhvillimin dhe integrimin e përbashkët europian.
Gjatë ceremonisë së organizuar në Maqedoninë e Veriut, për nisjen e punimeve për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Maqedoni e Veriut, ministri Karakaçi vlerësoi se ky është një moment shumë i rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal dhe për të ardhmen energjetike të dy vendeve tona.
Në fjalën e tij, ai nënvizoi se Shqipëria tashmë ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit energjetik, ku rritja e sigurisë energjetike, përmes diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë, bazuar në një strategji të mirëstudiuar, po jep rezultate të rëndësishme.
Nga një sistem tradicionalisht i mbështetur në energjinë hidrike, Karakaçi theksoi se sot vendi po transformohet në një sistem modern, të diversifikuar dhe të orientuar drejt burimeve të rinovueshme.
“Me mbi 2.5 GW kapacitete ekzistuese hidrike dhe me projekte të reja në energjinë diellore dhe të erës që pritet të tejkalojnë 3 GW në dekadën e ardhshme, vendi ynë po shndërrohet në një aktor të rëndësishëm në hartën energjetike të rajonit. Por sigurisht ky transformim nuk mund të realizohet pa një rrjet transmetimi të zhvilluar dhe pa ndërlidhje të forta ndërkufitare”, shtoi ai.
Pikërisht këtu, sipas ministrit Karakaçi, qëndron rëndësia strategjike e projekteve të interkonjeksionit që po zbatohen dhe janë në planifikim.
Sipas ministrit, “projekti i linjës 400 kV Elbasan-Bitola, është një nga hallkat më të rëndësishme të Korridorit energjetik Lindje-Perëndim, pjesë e rëndësishme e Korridorit VIII”.
“Ai përmbyll një boshllëk historik në rrjetin rajonal dhe krijon një lidhje të drejtpërdrejtë midis sistemeve tona energjetike, duke rritur ndjeshëm sigurinë e furnizimit për të dy palët dhe duke shërbyer si një instrument i cili garanton angazhimet e të dy shteteve për integrimin rajonal dhe europian të tregjeve tona, krahas integrimit politik në Bashkimin Europian”, shtoi ai.
Po ashtu, Karakaçi vlerësoi se kjo linjë nuk është vetëm një projekt bilateral, por është pjesë e një vizioni më të gjerë, Korridorit VIII energjetik, që lidh Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe më tej Italinë.
“Përmes këtij korridori, ne po ndërtojmë një urë të re energjetike mes Lindjes dhe Perëndimit të Europës. Duke e vlerësuar maksimalisht këtë projekt, ne jemi investuar intensivisht në pjesën e linjës që kalon përmes Shqipërisë dhe me krenari, por jo për të bërë konkurrencë, se nuk do të ishte vendi, mund të them se kemi arritur në 80% të punimeve për ndërtimin e linjës në territorin shqiptar”, shtoi ai.
Ndërkohë paralelisht me këtë projekt, Karakaçi theksoi se Shqipëria po avancon edhe në iniciativa të tjera strategjike.
Ai informoi se linja e re 400 kV me Greqinë, aktualisht në fazë studimore dhe e mbështetur nga Bashkimi Evropian, do të rrisë kapacitetet ndërkufitare dhe do të mbështesë integrimin e burimeve të rinovueshme në shkallë të gjerë.
“Një tjetër projekt me rëndësi strategjike të jashtëzakonshme është interkonjeksioni nënujor Shqipëri-Itali, i cili synon të krijojë një dalje të drejtpërdrejtë drejt një prej tregjeve më të mëdha të vendeve të Bashkimit Europian. Ky projekt do të jetë kyç për të shmangur humbjen e energjisë së prodhuar nga burimet e rinovueshme dhe për të maksimizuar vlerën ekonomike të saj”, tha ministri.















Comments are closed