Edhe Vetëvendosje e edhe Partia Demokratike i kanë kërkuar presidentes që të emërojë të propozuarin e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por, dy ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, presidentja nuk e ka emëruar anëtarin e ri e as nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS se kur do ta bëjë këtë. Mandati i presidentes përfundon më 4 prill e ushtrimin e detyrës së saj pas kësaj date e merr kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila mund ta kompletojë përbërjen e re të KQZ-së
Edhe dy ditë pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe tri ditë para përfundimit të mandatit, presidentja Vjosa Osmani ende nuk e ka kompletuar përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Ky institucion është mangu për një anëtar, për shkak të dilemës së ngritur nga presidentja nëse i takon LVV-së anëtari i tretë në KQZ apo PDK-së i dyti.
Për këtë dilemë ajo iu drejtua edhe Gjykatës Kushtetuese, siç pati bërë më 2021, por edhe atëherë e edhe tash, Kushtetuesja ia shpalli kërkesën të papranueshme për trajtim.
Në Presidencë nuk janë përgjigjur që nga e marta se cilin nga të propozuarit e partive do ta emërojë për anëtar të KQZ-së.
Më 2021, kur u gjend në udhëkryqin e njëjtë, pas përgjigjes së Gjykatës, Osmani vendosi ta emërojë kandidatin e PDK-së.
Meqë ajo është në përfundim të mandatit, të mërkurën, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, përmes një letre, i kërkoi që sa më parë të emërojë kandidatin e dytë të partisë së tij në këtë institucion.
Në të Hamza ka theksuar se vendimi i Kushtetueses ka sqaruar përfundimisht çdo paqartësi lidhur me këtë çështje, “duke konfirmuar se përfaqësimi i PDK-së me dy anëtarë në KQZ është një e drejtë kushtetuese dhe jo çështje interpretimi politik”.
“Mosveprimi në këtë fazë në rrethanat kur çështja është sqaruar përfundimisht nga Gjykata Kushtetuese, do të përbënte shkelje të rendit kushtetues dhe një precedent të rrezikshëm për funksionimin demokratik të institucioneve. Për më tepër, kërkojmë që të respektohet edhe praktika e deritanishme institucionale, sipas së cilës PDK-ja ka pasur përfaqësim me dy anëtarë”, thuhet në letrën e Hamzës.
Në letër, kryetari i PDK-së ka theksuar se bazuar në Kushtetutë dhe në përbërjen aktuale të Kuvendit, ndarja e vendeve në KQZ duhet të garantojë nga një anëtar për secilin grup parlamentar në raundin e parë, ndërsa dy vendet e mbetura në raundin e dytë u takojnë dy grupeve më të mëdha parlamentare, në këtë rast LVV-së dhe PDK-së. Ai ka konstatuar se çdo interpretim tjetër, që do t’i jepte një partie tre anëtarë në KQZ, do të ishte në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe me parimin e balancës institucionale.
Por, të njëjtën kërkesë për presidenten e kanë edhe në Vetëvendosje.















Comments are closed